19.05.2025 - AKTIVITET TRAJNUES: “Hetimi i veprës penale të pastrimit të parave dhe kompleksiteti i tij”

Shkolla e Magjistraturës me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, dhe në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë së Kosovës, më datë 19 maj 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Hetimi i veprës penale të pastrimit të parave dhe kompleksiteti i tij. Niveli i provueshmërisë përpara gjykatës lidhur me origjinën e pasurisë. Vlera e aktit të ekspertimit kontabël dhe kujdesi që duhet të tregohet në caktimin e detyrave të ekspertit”, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga ekspertët: Admir Shala – prokuror në Prokurorinë e Posaçme të Republikës së Kosovës; Nertina Kosova – gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë; Henrik Ligori – pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe lehtësuese: Mediana Meta – prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës

Trajnimi u përshëndet nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Michel Tarran dhe Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi.

Qëllimi i këtij trajnimi është:. të forcojë kapacitetet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në hetimin dhe gjykimin e veprës penale të pastrimit të parave, duke theksuar kompleksitetin që paraqet kjo vepër në praktikë. Trajnimi synon të sqarojë nivelin e nevojshëm të provueshmërisë lidhur me origjinën e pasurisë para gjykatës, si dhe të theksojë rëndësinë dhe rolin vendimtar të aktit të ekspertimit kontabël. Një fokus i veçantë do t’i kushtohet kujdesit që duhet treguar në formulimin e detyrave për ekspertin, për të siguruar cilësi, objektivitet dhe vlerë të provueshme të aktit ekspertues në procesin penal.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:

  • Hetimi i krimi të pastrimit të parave. Ligji dhe përvoja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. 
  • Pastrimi i produkteve të krimit. Kodi Penal i RSH dhe kuadri normativ ndërkombëtar.
  • Rëndësia dhe metodika e ekspertimit financiar në hetimin e krimit të produkteve të krimit

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë nga Republika e Shqipërisë dhe nga Republika e Kosovës.